Manchester City duhet të përgatitet për kampionatin anglez dhe Champions League në këto 3 muaj, por me mungesën e Kevin De Bruyne. Mesfushori 27-vjeçar do të qëndrojë jashtë fushave për 3 muaj pas dëmtimit të ligamentit kryesor të gjurit. Futbollisti u dëmtua në seancën e fundit stërvitore me “Qytetarët” dhe la fushën me dhimbje.
Tekniku i tij Pep Guardiola u shpreh se skuadra do ta ndiejë shumë mungesën e tij në fushë.
” Do të jetë një mungesë e madhe. Nuk është e lehtë të zëvendësosh Kevinin. Ne do të tentojmë dhe do të bëjmë më të mirën tonë pa të. Duhet të jemi në vendin e duhur kur ai të kthehet”, deklaroi katalanasi.
De Bruyne që shkëlqeu në Kupën e Botës me Belgjikën duke arritur vendin e tretë, do të mungojë në tre takimet e decizive të Premier League: Liverpool, Tottenham dhe Manchester United si dhe do të mungojë në ndeshjen e parë të Champions League.