“Partizani nuk është kurrkund me pretendimet që ka. Partizani nuk luan futboll”, kjo ishte deklarata e Redi Jupit që mori dhenë në vend. Ish-lojtari i Superiores, tashmë pronar i një kompleksi të madh sportiv, ngjalli debat mes sportdashësve shqiptarë. I njëjti ekip, të njëjtët lojtarë që ishin sezonin e shkuar, janë edhe këtë vit pjesë e kampionëve.
Ka ndodhur vetëm një ndryshim i vetëm: Partizani nuk stërvitet, ashtu sikurse vjet në kompleksin e Jupit. Ndoshta kjo ka nxitur analistin e njohur ta shohë ekipin kryeqytetas më me detaje. Ndërkohë fakt mbetet se skuadra e Lerdës përgatitet në Elbasan dhe në Pezë-Helmës. Duke qenë se rreshjet e shiut kanë zaptuar vendin, të kuqtë kanë zgjedhur pikërisht kompleksin “Internacional” në periferi të Tiranës.
Nga ana tjetër te “Football Republic” i Redi Jupit këtë vit po kryen seancat stërvitore skuadra e Kukësit. Verilindorët janë rivalë për titull kampion dhe kanë zgjedhur pikërisht terrenet ku të kuqtë u përgatiten sezonin e shkuar me Skënder Gegën. Për Jupin, nënkampionët kanë kualitete dhe dalëngadalë do të vijnë në formën e duhur.
Përpos gjithave, përpos deklaratës së Jupit, Partizani vijon të jetë në krye të Superiores me 21 pikë. Ndërsa verilindorët renditen në vendin e katërt me 3 pikë më pak. Ndoshta në edicionin e ri, edhe për Kukësin mund të thuhet: “Nuk luan futboll”…