Behar Ramadani ishte “heroi” i Luftëtarit në takimin e djeshëm kundër Laçit. Mesfushori shkodran shënoi në minutën e 93-të nga pika e bardhë duke fiksuar rezultatin 1-0 për bluzinjtë dhe rrjedhimisht edhe fitoren e dytë në kampionat për të besuarit e trajnerit Milinkoviç.
Pas shënimit të golit, Ramadani ia dedikoi golin të fejuarës së tij që e ndiqte nga tribuna e stadiumit të Ballshit ku u luajt takimi Luftëtari-Laçi. Mesfushori bëri shenjën e zemrës me duar gjatë festimit, por e veçanta është se e fejuara e tij mbylli sytë në momentin që Ramadani ekzekutoi 11-metërshin.
Emocionet kanë qenë të larta në takimin e djeshëm për Luftëtarin, sidomos pas 11-metërshit të fituar në minutën e 3-të shtesë të sfidës, një episod që më pas rezultoi vendimtar për gjirokastritët për të marrë tri pikët ndaj Laçit.