“Arena Kombëtare” është një çështje e nxehtë në aktualitetin shqiptar, për nga vetë debatet që prodhoi, që prej fillimit të ndërtimeve. Tashmë stadiumi më i ri Kombëtar, pritet të marri formë dhe të jetë gati për ndeshjet e Kombëtares, por debatet vazhdojnë. Në fillim ka qenë çështje data e inaugurimit të stadiumit e cila ka lëvizur disa herë nga FSHF dhe çmimi i lartë i biletave, që duhet të paguajnë tifozët shqiptarë për të parë kombëtaren.
Gjatë emisionit sportiv “Pressing”, ka patur një debat mbi “Arenën Kombëtare” midis Eduard Prodanit, ish-sekretar i FSHF-së dhe Arben Dervishaj, inxhinier në stadiumin e ri Kombëtar. Prodani e ka sulmuar ashpër FSHF-në për mënyrën sesi po menaxhon futbollin në vend dhe ka vënë zërin tek çmimi i lartë i biletave. Ndërkohë ka gjetur reagimin e menjëhershëm nga Dervishi.
“Dua të pyes se stadiumi duhet të përfundonte në verën e vitit 2018 dhe ndodhën të papritura pasi ndërtimi i një vepre të madhe i sjell këto. Kam ngrënë 2-3 dreka me baste miqësore sepse drejtuesit e FSHF-së kanë thënë “përfundon këto 3 muaj, përfundon këto 3 muaj të tjerë”. Pse kaq të paparashikueshme kanë qenë vonesat?”, u shpreh Prodani.
“Afati që në vumë ishte i parealizueshëm. Ka pasur pengesa të cilat nuk vareshin nga ne, pasi ne kemi bërë presion. Në datën 17 nëntor do të jetë gati për ndeshjen me Francën, ndërsa do të bëjmë edhe një ndeshje kontrolli jo zyrtare. Jemi pak mbrapa me pjesën e bareve dhe restoranteve. Po përfundon vendosja e sedileve dhe pastaj do të ketë sistemimet e fundit dhe pastrami,” u përgjigj Dervishaj për inaugurimin e stadiumit.
Ndërkohë debati për biletat e “kripura”
“Çmimet janë politikë e gabuar sepse duhet promovuar futbolli. 50 mijë lekë bileta është çmim shumë i lartë pasi kam parë biznesmenë që tërhiqeshin ose e kërkonin falas. Ne shohim çmime nga 2-3 mijë lek të vjetra dhe prapë nuk vijnë tifozat. Të tillë gjendje ekonomike kemi dhe është absurde të krahasohemi me Francën”, tha Prodani.
“Federata është bërë një ndërmarrje ndërtimi. Po investoni miliona euro në zyra ndërsa jashtë janë fëmijët e zhveshur në dimër. Ky është fakti. Federata ka zyra. Zhvilloni futbollin njëherë pastaj zyrat”, shtoi Prodani.
“Futbolli nuk është për hallexhinj,” u përgjigj Dervishaj.