Gianni de Biasi ka folur pas shkarkimit nga skuadra e Alavesit. Ish-trajneri i kombëtares shqiptare ka dhënë një prononcim për “Tv-Klan” ku është shprehur i revoltuar për largimin e tij nga pankina e ekipit spanjoll. Tekniku italian ka deklaruar:
“Nuk e di se çfarë kërkonin më shumë. Jam i bindur se kam bërë një punë të mirë. Gjeta një skuadër që pas gjashtë ndeshjesh ishte pa pikë, kishte bërë 1 gol dhe kishte pësuar 10. Me mua pas 7 ndeshjesh shënoi 7. Fituam një ndeshje kupe në transfertë.
Besoj se përmirësuam shumë gjëra. Skuadra kishte probleme. Unë kur erdha këtu e mora parasysh riskun dhe pranova, sepse doja të futesha edhe një herë në ligën spanjolle”, ka thënë ai.
I pyetur më pas për të ardhmen, De Biasi ka treguar:
“Për momentin nuk kam asnjë kontakt. Jam ende nën kontratë me Alaves, vetëm nëse do të kem një propozim që do të më kënaqë, do të përpiqem të zgjidh kontratën këtu dhe të shkoj diku tjetër”.