Problemet e kampionateve shqiptare, në lidhje me gjykimin nuk kanë të sosur. Këtë herë kanë qenë lojtarët e Partizanit U-17, ata që kanë denoncuar njëanshmërinë e arbitrave, pranë redaksisë së Newsport.al.
Bëhet fjalë për ndeshjen e kampionatit U-17, mes Partizanit dhe Kukësit, e luajtur ditën e shtunë dhe që përfundoi me rezultatin 1-0, në favor të verilindorëve.
Sipas lojtarëve të të kuqëve, në përfundim të pjesës së parë, trajneri i Kukësit u fut në dhomën e arbitrit dhe pas kësaj, në pjesën e dytë, gjyqtari filloi të jepte faulle për Kukësin.
Më pas për skuadrën e Kukësit është akorduar një penallti, me të drejtë, e cila është pritur nga portieri i të kuqve, por arbitri ka dhënë urdhër që kjo penallti të përsëritet, pa sqaruar mirë arsyet.
Më pas në minutat e fundit të ndeshjes, ka ndodhur dhe më e çuditshmja, Kukësi ka shënuar një autogol në portën e vetë, por i është anulluar, me arsyen që është pozicion jashtë loje, gjë kjo që është e palogjikshme.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për Grupin A, të Kategorisë Superiore U-17.