Kombëtarja Shqiptare do të luajë nesër në Elbasan, kundër Norvegjisë. Para kësaj ndeshjeje, trajneri i nordikëve, Lars Lagerback ka mbajtur një konferencë për shtyp, në ambjentet e ish-hotel Sheratonit.
Ajo që çuditi në këtë konferencë është se vetë trajneri nuk ishte i informuar se do të mbante një konferencë. Ishte zëvendësi i tij, që pasi pa gazetarët, iu afrua dhe i pyeti përse janë mbledhur. Pasi gazetarët i komunikuan arsyen, Lagerback ka zbritur nga dhoma e tij, me shapka dhe ka thënë dy fjalë për mediat.
– Si e keni përgatitur ndeshjen me Shqipërinë?
Ne luajtëm me Australinë dy ditë më par dhe pas kësaj ndeshjeje po përgatitemi për Shqipërinë. Sot kemi stërvitje në Tirane dhe ne pastaj do të flasim me ekipin më mirë. Do të bëjmë një mbledhje dhe do t’u shpjegojmë futbollistëve se si luan Shqipëria. Kjo është një ndeshje e vështirë kundra Shqipërisë.
– E keni studiuar Shqipërinë gjatë kësaj periudhe dhe çfarë prisni nga kjo ndeshje?
Ne jemi munduar ta studiojmë. Mendoj se trajneri Panuçi ka ndryshuar sistemin e lojës. Po përgatisim lojtaret që të luajnë me module të ndryshme.
– E njihni Panuçin si lojtar dhe si trajner, në cilin rol mendoni se është më i rrezikshëm?
Nuk e di. Kam respekt për Shqipërinë dhe mendoj se kanë bërë mirë dhe kanë një grup të mirë. Në “Euro 2016” u paraqitën mirë. E vlerësoj Panuçin dhe ekipin shqiptar.
– Norvegjia do të ndjekë lojën e Shqipërisë, apo do bëni lojën tuaj?
Filozofia ime si trajner është që të bëjmë lojën tonë në çdo sfidë. Ne do të shkojmë në Elbasan për të imponuar futbollin tonë. Në ndeshjet që kemi sigurisht që do t’i përshtatemi kundërshtarit dhe lojës që ata kanë.
– Norvegjia ka një lojtar me origjinë shqiptare, Veton Berishën. Ai nuk është grumbulluar me ekipin tuaj për këtë sfidë, do të jetë ai në planet tuaja?
Për momentin nuk do të jetë, nuk e di për të ardhmen. Nuk ka vend te ky ekip që kam grumbulluar. Ai dhe secili lojtarë që do të kapë ekipin Kombëtar duhet të bëjë mirë me klubin e tij.
– Keni një karrierë të suksesshme me Islandën, pasi është punuar mirë me ekipet e të rinjve. Çfarë këshillash keni për Shqipërinë?
Një pyetje e vështirë, nuk di të them shumë për këtë pjesë. Duhet të punohet fort me sektorin e të rinjve dhe duhen trajnerë të mirë. Duhet të punohet me kushte bashkëkohore dhe më pas mund të flitet për rezultate.