Në edicionin informativ të “RTSH Sport” u njoftua se ditën e martë klubi i Skënderbeut do të paraqitet në seancën dëgjimore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për të kundërshtuar vendimin e UEFA-s me përjashtim për 10 vite nga aktivitetet e futbollit europian dhe gjobitjen me 1 milionë € për trukim të ndeshjeve.
Vetë klubi bardhekuq ka konfirmuar gati një muaj më parë në 8 mars se seanca dëgjimore e çështjes “Skënderbeu” në CAS do të mbahej në datën 16 prill (LEXO).
Megjithatë në një verifikim të listës së çështjeve që do të shqyrtohen nga Arbitrazhi Sportiv në Lozanë për periudhën mars-qershor nuk rezulton që CAS të ketë caktuar një datë për klubin korçar. Në datën 16 prill CAS-i ka vendosur në axhendë dy çështje të tjera.
Në këtë situatë, është totalisht e paqartë nëse çështja e heqjes së dënimit të Skënderbeut do të shqyrtohet në këtë periudhë apo vendimi përfundimtar do të merret pas mbylljes së këtij sezoni (29 maj).
Gjatë kësaj kohe, në Korçë shprehen të sigurtë se Skënderbeu do të fitojë drejtësinë e tij, por nëse CAS nuk merr vendimi final për fatin e kampionëve në fuqi të Shqipërisë brenda kësaj periudhe, mund të krijojë amulli në skuadër, gjë që rrezikon përsëritjen e “eksodit” të largimeve si në verën e kaluar.