Situata problematike në KOKSH dhe zvarritja e zgjidhjes së problemeve, kanë detyruar kreun e këtij institucioni që t’i drejtohet me një letër të hapur, institucioneve më të larta në vend. Viron Bezhani i është drejtuar Kryeministrit Rama dhe një sërrë personalitetesh me poste të larta drejtuese. Në letrën e tij, Bezhani tregon situatën e paprecedentë në institucionin që ai drejton, si dhe uzurpimin e saj nga sekretari Stavri Bello.
Letra e plotë e Viron Bezhani-t:
Drejtuar
Kryeministrit të RSH SH.T.Z. Edi Rama.
Kryetarit të Kuvendit të RSH Z. Gramoz Ruçi.
Ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini.
Zv. Ministrit të Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë Z. Kostandin Shkurti.
Tiranë më 14.01.2020
Letër e hapur lidhur me situatën në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.
I Nderuar Z. Kryeministër,
Të nderuar,
Në cilësinë e Presidentit të KOKSH ju drejtohem me një letër të hapur e cila
është një adresim i situatës dhe gjithashtu një kërkesë për të pasur në
konsideratën tuaj situatën aktuale në KOKSH dhe problematikat në vijim.
Aktualisht në KOKSH ka një situatë problematike dhe të papreçedentë. Kjo
situatë lidhet me ligjshmërinë e këtij institucioni, zbatimin e ligjit dhe
Statutit dhe akteve të tjera nënligjore nga Ish Sekretari Z. Stavro Bello dhe
nga disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH.
Në cilësinë e Presidentit të KOKSH kam kërkuar transparencë në punën e KOKSH
dhe në çdo rast kam pasur si synim interesin më të lartë të sportit dhe
sportistëve dhe përfaqësimit të vendit tim në akivitete sportive në mënyrën më
të mirë dhe dinjitoze.
Në përpjekjet e mia për tansaprencë, zbatim të ligjit dhe ndjekjen e parimeve
olimpike të fair play, kam hasur në një situatë tërësisht anormale nga Ish
Sekretari Z. Stavro Bello, i cili ka uzurpuar institucionion, vulën dhe
financiat e KOKSH duke tentuar të mbulojë abuzimet e tij financiare të
mëparshme. Konstatohet lehtësisht se ish Sekretari i KOKSH Z. Stavro Bello ka
kryer abuzime me detyrën dhe abuzime financiare, ka kryer sjellje tërësisht të
papërshtatshme dhe që nuk ka asnjë lidhje me lëvizjen olimpike. Lidhur me këto
abuzime i jam drejtuar Prokurorisë e cila ka regjistruar çështjen dhe është
duke kryer hetime.
Ndërkohë, situata vijon e nderë pasi Ish Skeretari i Përgjithshëm Z. Stavro
Bello ka uzurpuar zyrat, vulën e institucionit, kodet e emaileve të komunimit
zyrtar të KOKSH, dhe të gjithë dokumentacionin zyrar të KOKSH. Në këto kushte
unë si President kam marrë masat përkatëse lidhur me kallzimet penale për këto
veprime dhe gjithashtu shkarimin e ish Sekretarit Z. Stavro Bello nga detyra,
vendim i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i KOKSH.
Në siatuatën ku ndodhemi kërkoj t’ju rendis disa nga shkeljet e konstatuara në
punën e Ish Sekretari të Përgjithshëm Z. Stavro Bello gjatë detyrës së tij.
Këto shkelje janë konstatuar nga audituesi i jashtëm i KOKSH dhe theksoj se ky
auditim është kryer vetëm mbi dokumentacionin që vetë Z. Stavro Bello i ka
depozituar audituesit, ndërkohë që theksoj se shumë dokumenta janë fshehur për
të mbuluar dhe manipuluar shkeljet e shumta nga ky individ. Dua të sqaroj se në
këtë rast këto veprime të Ish Sekretarit të Përgjithshëm Z. Stavro Bello janë
mbështetur nga punonjësit e administratës, Zv. Presidentit Vojo Malo dhe
Thesaristit z. Genc Boga.
Po ju sqaroj disa nga shkeljet e konstatuara nga auditi:
1. Rivlersimi i mjeteve monetare nuk është bërë në kohën e duhur duke sjellë
efekte financiare dhe duke përbërë si shkelje në vetvete ashtu edhe dëmtim të
KOKSH.
2. Protokolli, mbajtja e protokollit është kryer në shkelje të nenit 56 të
Rregullores së KOKSH.
3. Proçedurat e transfertave të kryera nga llogarite e KOKSH janë kryer në
shkelje të Stautit dhe Rregullores. Qarësisht këto transferta duhet të kryhen
të autorizuara nga Presidenti, ndërkohë që janë kryer pa autorizim nga
Sekretari Z. Stavro Bello. Ndërkohë që sipas nenit 27 të Statutit të KOKSH
Sekretari ka të drejtë të ekzekutojë pagesa apo të kryejë veprime financiare
vetëm me qëllime administrative. Në këtë rast Ish Sekretari Z. Stavro Bello ka
kryer të gjithë transferimet, pa urdhëra dhe autorizime përkatëse, pa
dokumentacion justifikues dhe pa ndjekur dhe zbatuar asnjë proçedurë financiare
dhe ligjore.
4. Shpenzimet për Bursat e Sportistëve dhe Dietat. Këto shpenzime janë kryer pa
një vendim apo autorizim nga Komiteti Ekzekutiv, këto pagesa janë kryer në
shkelje të ligjit Shqiptar, nuk janë sigluar nga përfituesi dhe nuk kanë
dokumentacion shoqërues justifikues, duke pas sjellë një situatë abuzimi dhe
shpërdorimi të detyrës nga ana e Ish Sekretarit të Përgjithshëm Z. Stavro
Bello.
5. Shpenzimet për pagat e personelit. Ish skeretari i përgjithshëm Z. Stavro
Bello ka rritur pagat e punonjësve pa një vendim të Komitetit Ekzekutiv.
Konkretisht në këtë rast pagat janë rritur në masën 35% ndërkohë që për rritje
pagash ka vetëm një vendim të Komitetit Ekzekutiv në masën 10%. Ky fakt tregon
qartë abuzimin dhe shpërdorimin e detyrës nga ana e Ish Sekretarit të
Përgjithshëm të KOKSH Z. Stavro Bello.
6. Shpenzimet për telefona. Qartësisht Ish Sekretari i Përgjithshëm ka abuzuar
duke kryer pagesa tërësisht të paautorizuara dhe duke e ngarkuar KOKSH me
shpenzime të cilat e tejkalojnë çdo normë logjike dhe ligjore.
7. Gjatë vitit 2019 si President i KOKSH kam kërkuar nga Ish Sekretari dhe nga
administrata të dhëna për veprimtarinë financiare të KOKSH. Edhe pse kam
paraqitur kërkesa zyrare në mënyrë të përsëritur, sërish Ish Sekretari dhe
administrata nuk kanë dhënë asnjë informacion, edhe pse e kishin detyrim. Kjo
fshehje të dhënash dhe dokumentacioni financiar, ndërkohë që transaparenca
është detyrim primar si ndaj publikut ashtu edhe ndaj sportistëve, tregon qartë
se në këtë rast Ish Sekretari kërkon të fshehë shkeljet financiare dhe
abuzimet.
8. Përdorimi i kartës së debitit nga persona të paautorizuar që nuk kanë firmë
të depozituar ne bankë. Sqaroj se ish Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello
ka tërhequr nga Banka ku operon KOKSH një kartë debiti të lidhur me llogaritë
bankare të KOKSH. Kjo kartë bankare rezulton të jetë përdorur nga shumë
individë të paautorizuar për pagesa dhe shpenzime të paaurtorizuara. Kjo mënyrë
manaxhimi tregon shkeljet e rënda të kryera nga Ish Sekretari Z. Stavro Bello
dhe administrata e tij.
9. Lëvizjet bankare gjatë kësaj periudhe tregojnë se ka veprime të parregullta,
të paautoruizuara dhe që nuk shoqërohen me dokumentacion justifikues për
shpenzime. Këto veprime tregojnë qartë se Ish Sekretari e ka konsideruar KOKSH
si një vend përfitimi si institucioni më i lartë sportiv.
10. Nga auditi rezulton se shpenzimet për aktivitete sportive nuk mund të
auditohen pasi nuk ka asnjë dokument. Si është e mundur që Ish Sekretari ka
kryer pagesa dhe shpenzime dhe nuk disponon asnjë dokument!? Situata është
shumë e rëndë dhe tregon abuzime të mëdha.
11. Ish Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello ka kryer pagesa dhe shpenzime
për pritje-përcjellje duke abuzuar në shumë raste. Të gjithë këto pagesa janë
kryer në mënyrë të paautorizuar dhe jashtë çdo kushti ligjor lidhur me
justifikimin dhe pasqyrimin korrekt financiar.
12. Gjatë gjithë veprimtarisë së KOKSH të gjitha shpenzimet e kryera nga Ish
Sekretari i Përgjithshëm Z. Stavro Bello janë kryer pa proçedurë konkurrimi apo
tenderimi. Në këtë rast çdo shpenzim është urdhëruar vetëm nga ish Sekretari
dhe nuk ka pasur asnjë proçedurë qoftë edhe minimale. Theksoj se këto veprime
nuk janë verifikuar dhe as monitoruar as nga Thesaristi duke bashkëpunuar me
ish Sekretarin për mbulimin e këtyre shkeljeve.
13. Në shumë raste Ish Sekretari i KOKSH Z. Stavro Bello ka kryer pagesa për
Federata Sportive vetëm me firmën e tij dhe pa një vendimmarrje të organeve
përkatëse të KOKSH.
Këto shkelje të përshkruara shumë shkurtimisht janë vetëm disa nga gjetjet e
auditit dhe këto gjetje vetëm mbi dokumentacionin që vetë Z. Stavro Bello i ka
vënë në dispozicion audituesit. Theksoj se në këtë rast shkeljet janë shumë
herë më të mëdha dhe abuzimet janë ekstreme.
Theksoj se vetëm fakti që Ish Sekretari ka pasur një pagë mujore 121.000 Lek
dhe ndërkohë që ka punuar vetëm gjysmën e vitit, pasi gjysmën tjetër ka qenë
jashtë shtetit edhe për punë që skanë lidhje me KOKSH, tregon se në këtë rast
edhe vetë pagesa e Sekretarit ka qenë abuzive. Ndërkohë që sqaroj se së bashku me
bonuse, shpërblime, etj. zëra të çuditshëm pagesash, Ish Sekretari i
Përgjithshëm ka përfituar rreth 168.971 Lek pagë mujore. Ky fakt tregon
abuzimet dhe shkeljet e kryera. Ndërkohë që theksojmë se pagesat e KOKSH për
sportin dhe sportistët kanë qenë më pak se 1/4 e totalit të fondeve të KOKSH.
Pra, nga veprimet financiare të Ish Sekretari të Përgjithshëm rezulton se kanë
përfituar vetëm persona jo sportistë dhe përfitimi real për sportistët ka qenë
minimal, ndërkohë që duhet të jetë e kundërta.
Gjatë veprimtarisë së tij Ish Sekretari i Përgjithshëm ka abuzuar edhe me
bursat olimpike, duke i ulur ato si rrjedhim i mbajtjes për efekte taksash dhe
ndërkohë këta taksa nuk janë derdhur në tatime. Në disa raste nuk janë aplikuar
taksa fare duke vërtetuar edhe më rëndë shkeljet në rastetet e bursave
olimpike.
Për të gjitha këto, unë kam depozituar në Prokurori një kallzim që është duke u
hetuar. Përtej këtij veprimi, në përputhje me Statutin e KOKSH, në cilësine e
Presidentit unë kam thirrur në mënyrë të vazhdueshme për analizë të situatës
Komitetin Ekzekutiv. Anëtarët mbështetës të z. Bello kane refuzuar të marrin
pjesë në këto mbledhje të thirrura, duke sjelle si pasojë vetpërjashtimin e
tyre në bazë të Nenit 18 pika 7 të Statutit. Në këto rrethana pas vetpërjashtimit
të tyre, anëtaret e mbetur të Komitetit Ekzekutiv kanë zgjedhur anëtaret e rinj
të Komitetit Ekzekutiv në baze te nenit 18 pika 7 të Statutit kanë shkarkuar z.
Bello nga funksioni i tij i Sekretarit.
Pavarësisht nga sa më lart, z. Bello vazhdon të uzurpojë selinë e KOKSH, vulën
dhe dokumentacionin sot e kësaj dite, duke penguar veprimtarine normale dhe
institucionale të KOKSH. E kuptoj shumë mirë që në këtë situatë të vështirë që
po kalon vendi dhe krahasuar me morinë e problemeve që ju keni, çfarë ndodh në
KOKSH mund të mos jetë prioritare. Por duke ditur vëmendjen tuaj të veçantë për
sportin, si dhe ndjeshmërinë ndaj ç’rrënjosjes së korrupsionit, shpresoj të
gjej mbështetjen tuaj për një transparencë të plotë të veprimtarisë së KOKSH
dhe kthimit të këtij institucioni në një shembull ligjshmërie dhe përgjegjësie
në shërbim të zhvillimit të lëvizjes Olimpike në Shqipëri.
Me konsideratë
Viron Bezhani
President