Është hedhur ditën e sotme shorti i Serie A për sezonin e ri. Në këtë eveniment kanë qenë të pranishëm të gjithë drejtuesit e klubeve italiane, ndërsa disa prej tyre kanë folur pas shortit për mediat. Administratori i Interit, Beppe Marotta u shpreh se Interi do të tentojë deri në fund të mbrojë titullin kampion të fituar sezonin e kaluar. Në prononcimin e tij, Marotta foli edhe për merkaton e Interit dhe zëvendësuesin e Hakimit.
“Conte është e shkuara tashmë dhe nuk dua të flas për të. Kemi emëruar Inzaghin, të bindur që do të bëjë shumë mirë dhe tani presim fillimin e një sezoni të ri. Është konfirmuar 90% e organikës së skuadrës që fitoi titullin, ndaj besoj se do të jemi konkurrues edhe këtë sezon”.
Zëvendësuesi i Hakimit? “Zëvendësimi i Hakimit nuk do të jetë i lehtë, pasi duhet shumë kreativitet. Dumfries apo Bellerin? Ka emra të shumtë, por të shohim si do rrjedhin ngjarjet. Nandez? Është një mesfushor shumë interesant, por në atë repart jemi të kompletuar”.
Gjendja e Eriksen dhe ardhja e Calhanoglu? “Jemi të lumtur që gjendja e tij shëndetësore po përmirësohet. Sa i përket rikthimit në fushë, duhen bërë shumë analiza dhe mbi të gjitha duhet kohë, për të parë ecurinë e rikuperimit. Gjithsesi kemi marrë Calhanoglu dhe nuk e sforcojmë rikthimin e Eriksen. Shëndeti i tij është mbi gjithçka”, u shpreh Marotta.