Apolonia fitoi 2-1 ndaj Kastriotit, në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë Superiore. Vendasit shënuan me Gjatën dy gola, ndërsa Daci ngushtoi shifrat për miqtë. Menjëherë pas takimit për mikrofonat e Supersport ka folur trajneri i fierakëve, Cammaratta. Ai e di mirë se qëndrimi në elitë është i vështirë, por djemtë do provojnë deri në fund.
“Bëmë ndeshje shumë të mirë. Në pjesën e parë bëmë mirë, ndërsa në të dytën vuajtëm. Duam që lojtarët të bëjnë maksimumin. Jeta më ka mësuar se kur ke pak shpresë, pse jo mos të arrish qëllimin. E thashë edhe me Bylisin, që ne duhet të japim maksimumin për kampionatin. Kjo do jetë një vitrinë për lojtarët, por edhe të mbijetojmë, pse jo. Natyrisht është në masën 10%. Lojtarët kanë dhënë më të mirën, që kur kam ardhur unë. Kemi pasur dëmtime dhe nuk kemi patur alternativa. Dëmtimet na kanë penalizuar. Edhe ata që janë zëvëndësuar, kanë treguar se vlejnë” – tha ai.