Ballshiotët prej dy javësh kanë nisur përgatitjet në prag të sezonit të ri, të cilin do ta zhvillojnë në Grupin e Jugut në Kategorinë e Parë. Mallakastriotët janë drejt konsolidimit të grupit, duke qenë se kanë të ruajtur pjesën dërrmuese të lojtarëve nga sezoni i shkuar. Falë kontratave afatgjata, mallakastriotët nuk kanë nevojë për shumë merkato.
Trajneri Maringlen Kule po punon me lojtarët, ndërsa pritet që të ketë disa përforcime, pasi ballshiotët kanë dhe një numër të konsiderueshëm futbollistësh të rikthyer, pasi kanë qenë të dhënë në formë huazimi në ekip të ndryshme të së Parës për sezonin e shkuar.
Por, pas disa ditësh përgatitjesh, stafi teknik ka kërkuar që të zhvillojë ndeshje miqësore. Duke qenë se ekipet e afërta i kanë planifikuar takimet, pasi kanë nisur përgatitjet më herët se Bylis, mallakastriotët janë detyruar që të udhëtojnë drejt Kavajës për të zhvilluar testin e parë. Me Besën, mallakastriotët do të ndeshen ditën e shtunë.