Ballshiotët po vazhdojnë me intensitet të lartë përgatitjet e verës në kuadër të kampionatit të Kategorisë së Parë. Duke parë përbërjen e skuadrës, mallakastriotët janë ekipi më me potencial dhe më i frikshëm për momentin në grupin e Jugut, aty ku do të militojnë këtë sezon pas rënies në një kategori më poshtë.
Dëshira është rikthimi në elitë, ndërsa Maringlen Kule duke pasur mbështetjen e drejtuesve, po mundohet që të afrojë lojtarët më të mirë që i kanë ardhur në provë, përpos atyre që kanë qenë dhe më parë në skuadër.
Sa i përket miqësoreve, pas fitores me Besën dhe me Orikumin, mallakastriotët nesër do të ndeshen me Elbasanin në fushën e këtyre të fundit në orën 17:00. Ndërsa të shtunën i pret një tjetër takim, ai kundër Shkumbinit në Peqin. Pra, për këtë javë ballshiotët i kanë rezervuar kundërshtarët.