Vllaznia luan të shtunë në 19:45 me Teutën për javën e dytë të Superligës. Në Shkodër janë më të qetë pas fitores dhe tri pikëve në Laç, edhe pse në skuadër kishte katër mungesa dhe trajneri Brdaric u detyrua të ndryshonte rolet për disa lojtarë.
Për sfidën e radhës, atë me kampionët në fuqi të vendit, stafi teknik i kuqebluve do ketë katër lojtarë më shumë. Fangaj, Hoxhaj, Djurdjevic dhe Bulatovic pritet të jenë gati. Lojtarët vuajnë disa dëmtime të ndryshme, me stafin që do vlerësojë gjatë javës gjendjen e tyre, për të parë nëse mund të jenë në fushë për përballjen e javës së dytë.