Zvicra ka nisur përgatitjet në San Diego për debutimin në Kupën e Botës 2026 ndaj Katarit, por përveç temperaturave të larta dhe lagështisë, skuadra po përballet edhe me një shqetësim të pazakontë. Pranë fushës stërvitore është identifikuar një zonë e shënuar si e rrezikshme për shkak të pranisë së gjarpërinjve helmues.
Në një foto të publikuar nga federata zvicerane, bie në sy një pjesë e kampit e rrethuar me vija të kuqe dhe mbishkrimin “Kujdes nga gjarpërinjtë”. Sipas Muzeut të Historisë Natyrore të San Diegos, në atë zonë jetojnë katër lloje gjarpërinjsh me zile, të cilët konsiderohen helmues.
Zvicra nuk është e vetmja kombëtare që është paralajmëruar për këtë rrezik. Edhe Norvegjia, e grumbulluar në Karolinën e Veriut, ka marrë udhëzime të posaçme për praninë e gjarpërinjve në zonën e saj stërvitore, me futbollistët që janë këshilluar të shmangin çdo kontakt me zvarranikët.
