Wesley Sneijder ka marrë një vendim të pazakontë duke nxjerrë në shitje disa prej kujtimeve më të çmuara të karrierës së tij me Kombëtaren e Holandës.
Ish-ylli holandez ka vendosur të nxjerrë në shitje Topin e Argjendtë të fituar në Botërorin e 2010-ës dhe medaljen e bronztë të fituar në Botërorin e 2014-ës. Në vitin 2010 mesfushori shënoi pesë gola gjatë turneut dhe u shpall lojtari i dytë më i mirë i kompeticionit, duke fituar Topin e Argjendtë. Holanda arriti deri në finale, ku u mposht nga Spanja në kohën shtesë.
Sneijder ka nxjerrë në shitje edhe medaljen e bronztë të Kupës së Botës 2014. Në atë turne, Holanda triumfoi 3-0 ndaj Brazilit në ndeshjen për vendin e tretë, ndërsa Sneijder ishte pjesë e skuadrës holandeze.
“Janë objekte që janë shumë të dashura për mua. Mendoj se është shumë mirë që mund t’i ndaj këto momente me tifozët e futbollit dhe koleksionistët që e vlerësojnë vërtet historinë që fshihet pas këtyre objekteve”, ka deklaruar Sneijder.






