Kalimi i Berat Gjimshitit në ligën arabe, aty ku do të luajë me Al Diriyah, u bë zyrtare mbrëmjen e djeshme. Mbrojtësi dhe njëkohësisht kapiteni i Kombëtares mbylli një epokë të lavdishme 10-vjeçare me Atalantën në Serie A italiane, ku fitoi edhe trofeun e Europa League dhe zgjodhi të transferohej në Arabinë Saudite ku do të përfitojë një kontratë “faraonike”.
Lidhur me këtë largim kaq të rëndësishëm për bergamaskët, ka reaguar Marten de Roon, mesfushori i Atalantës. Raporti mes tij dhe Gjimshitit ka qenë i veçantë, duke krijuar një miqësi të ngushtë përtej anës profesionale si lojtarë të një klubi, aq sa holandezi ka prekur të gjithë me letrën e gjatë dedikuar shqiptarit.
Ai kujton kohën kur të dy e nisën këtë rrugëtim kur në stol ishte Edoardo Reja, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, asokohohe në detyrë në vitin 2013.
Krahas këtij detaji, ai përmend dhe atë se çfarë përjetuan, aq kohë sa Gjimshiti ishte pjesë e Atalantës; zhgënjimet, sukseset, momentin kur prekën majën e suksesit në Kupat e Europës, finalet në Kupën e Italisë si dhe modelin e liderit që ka transmetuar në grup.
Për Marten de Roon, Gjimshiti do të mbetet një legjendë e klubit dhe frymëzim për çfarë la pas me skuadrën, ndërsa e falenderon për gjithçka bëri si kapiten.
LETRA:
“Shoku im,
Si t’i gjej fjalët e duhura për të përshkruar gjithçka çfarë kemi përjetuar së bashku përgjatë 10 viteve të fundit?
Që nga 6 muajit e parë me Rejan e deri sot, 10 vite pas. Zhgënjimet dhe triumfet e jashtëzakonshme. Historia që kemi shkruar. E kemi udhëhequr Atalantën përmes Europës, duke u përballur me klubet më të madhe dhe lojtarët më të mëdhenj të botës. Champions League, Europa League dhe finalet e Kupës së Italisë. Praktikisht, gjithçka për të cilën një futbollist mund të ëndërrojë.
Kemi qenë gjithmonë së bashku.
Në fillim, ishim pjesë e një grupi të madh që bëri histori, një grup që erdhi duke u zvogëluar me kalimin e viteve. Ti dhe unë ngjanim në shumë gjëra, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Shpesh flisnim për ta: për ata lojtarë që ndoshta nuk ishin gjithmonë në qendër të vëmendjes, por që në fushë ishin jetikë për gjithë të tjerët.
Dhe këtu nuk po përmend fare njeriun që je jashtë fushës. Mentalitetin tënd. Shembullin që ke dhënë gjithmonë. Mënyrën se si nuk u dorëzove kurrë dhe ishe gjithmonë pranë të tjerëve.
Ndoshta momenti kur doli më së miri në pah njeriu që je, ishte pas fitores në Europa League. Në një kohë kur mund ta tërhiqje të gjithë vëmendjen te vetja dhe të shijoje momentin tënd të lavdisë, ti mendove për Rafën dhe mua: dy djem me të cilët kishe përjetuar e ndarë aq shumë, por që në atë periudhë po kalonim një moment të vështirë.
Ai gjest të përshkruan më mirë se çdo fjalë. Më ka prekur thellë.
Ashtu siç më prek thellë edhe fakti që po largohesh tani. Udhëtimi ynë së bashku po i vjen fundit avash-avash. Shikimet që shkëmbenim në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Ne merreshim vesh me sy. Shpesh nuk kishim nevojë për fjalë.
Familjet tona njihen mirë. Kam parë fëmijët e tu duke u rritur, dhe ti ke parë të mitë. Këto janë kujtime dhe lidhje që shkojnë shumë përtej futbollit.
Jam i sigurt që rrugët tona do të kryqëzohen sërish. Nuk kam asnjë dyshim.
Ti je një legjendë e këtij klubi. Por mbi të gjitha, je një mik për mua dhe dikush që ka pasur një rëndësi të madhe në jetën time.
Faleminderit për gjithçka.
Marten.”
View this post on Instagram






