E ardhmja e Richarlison te Tottenham duket gjithnjë e më larg. Sulmuesi brazilian po kalon një moment të vështirë në klubin londinez, pasi nuk është përfshirë në listën e 25 lojtarëve për sezonin e ri dhe është dërguar të stërvitet me ekipin U-21.
Sipas raportimeve, 29-vjeçari i është drejtuar FIFA-s duke kërkuar ndërprerjen e parakohshme të kontratës së tij. Richarlison beson se përjashtimi nga skuadra e parë dhe trajtimi që po merr nga klubi mund t’i japin bazë ligjore për t’u larguar pa pritur përfundimin e marrëveshjes.
Braziliani luajti në ndeshjen hapëse të sezonit ndaj Brentford, por që prej asaj sfide ka mbetur jashtë planeve të Tottenhamit. Me vetëm një vit të mbetur në kontratë, ai synon të gjejë sa më shpejt një zgjidhje për të vijuar karrierën diku tjetër.
Nëse FIFA do t’i japë të drejtë lojtarit, Richarlison mund të largohet menjëherë nga Tottenham dhe të nisë një aventurë të re, pavarësisht se merkatoja verore në shumicën e vendeve tashmë është mbyllur.






