Ndeshja mes IJsselmeervogels dhe GVVV në kategorinë e tretë të futbollit holandez u ndërpre pas incidenteve të rënda që ndodhën gjatë pushimit të sfidës.
Viktimë e sulmit ishte Guillermo Durmay, një nga lojtarët kryesorë të IJsselmeervogels. Mbrojtësi u sulmua në tunelin e stadiumit dhe sipas raportimeve, pësoi tre dhëmbë të thyer, ndërsa fanella e tij u mbulua me gjak.
Ngjarja ndodhi në momentin kur skuadra mike GVVV ishte në avantazh 2-0. Pas incidentit, situata u përshkallëzua edhe më tej me përplasje mes tifozëve, ndërsa klubi vendas vendosi të mos e vazhdonte ndeshjen për shkak të dhunës së ushtruar ndaj futbollistit të tij.
Mediat holandeze raportojnë se një nga ndihmëstrajnerët dyshohet se ka goditur Durmayn. Autoritetet dhe organet përkatëse pritet të marrin masa të ashpra pas ngjarjes që ka tronditur futbollin holandez.






