Austria ia doli të shpëtojë një pikë nga përballja me Kosovën, duke barazuar në stadiumin “Fadil Vokrri”. Golit të Asllanit iu përgjigj Lang, ndërsa austriakët vijojnë të mbajnë kryesimin e grupit me 8 pikë. Pas ndeshjes, foli për mediat dhe trajneri i skuadrës austriake, Ralf Ragnick.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë, ashtu siç e kemi pritur. Kosova ka një ekip të mirë, ndërsa kushtet e fushës nuk ishin ideale për të dyja skuadrat. Në përgjithësi, kemi mbrojtur mirë, por në disa momente nuk e kemi bërë si duhet, sidomos në situatat një kundër një dhe në pasimet e shpejta. Goli i Kosovës ishte shumë mirë i ndërtuar, ndërsa ne në atë aksion kemi qëndruar shumë passive.
Sigurisht që nuk ishte vetëm terreni. Të dyja skuadrat kanë vuajtur nga kushtet e fushës. Edhe Franco Foda më tha se nuk i pëlqen të luhet në një fushë të tillë. Kur shoh lojtarë si Fisnik Asllani apo Muriqi, nuk mund ta imagjinoj që dikujt që e do futbollin i pëlqen të luajë në një terren kaq të pabarabartë. Por, sigurisht, kjo nuk ishte arsyeja kryesore”, tha Ragnick.






