Shqipëria pret San Marinon, në ndeshjen e vlefshme të raundit të katërt të Ligës së Kombeve. Sfida e cila do të luhet nesër në stadiumin “Air Albania”, do të nisë prej orës 20:45.
Për këtë duel, ka patur një prononcim të shkurtër nga mbrojtësi i skuadrës mike, Michele Cevoli, i cili u shpreh me fjalë të mëdha për Kombëtaren shqiptare sa i takon nivelit, ndërsa shtoi se të tijët duhet të tregojnë kujdes për atë se çfarë u pret nga sulmuesit kuqezi.
“Humbja me Finlandën do të ndikojë në ndeshjen tonë të radhës pasi rivalët tanë do të zbresin në fushë të uritur për gola. Dihet se diferenca e golave në grup është një aspekt që askush nuk e lë pas dore dhe për këtë motiv do të na duhet të bëjmë kujdes”, është shprehur Cevoli.
Sa i takon përballjeve direkte në 5 ndeshjet e fundit, Shqipëria gëzon bilanc rekord. Të gjitha fitore dhe 14 gola të shënuar e asnjë të pësuar.






