O sot, o kurrë! Dinamo do të zbresë në fushën e lojës mbrëmjen e sotme për një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e saj. Përballë gjen Pafos në transfertë, pasi akti i parë u mbyll në barazimin 1-1 në “Elbasan Arena” dhe gjithçka do të jetë e hapur në Qipro për objektivin madhor, kualifikimin në grupet e Conference League.
Deri më sot, në historinë e këtij klubi, një kompeticion i tillë nuk është prekur kurrë më parë dhe ky “mit” mund të rrëzohet pikërisht sot. Referuar eksperiencë së “timonierit” Ilir Daja që është provuar në këto terrene evropiane dhe ka “korrur” suksese me klubet e mëparshme si Skënderbeu dhe Ballkani, ndaj dhe tek Dinamo besojnë se “oguri fatsjellës” mund të funksionojë edhe në këtë ndeshje delikate.
ECURIA E KUNDËRSHTARIT – Nëse marrim për bazë ndeshjet e fundit, Pafos nuk mund të shquhet për rendiment të qëndrueshëm. Vetëm një fitore e arritur në 5 ndeshjet e fundit janë një shkak që duhet të jetë analizuar në kampin dinamovit. Edhe barazimi në Elbasan, mund të quhet fat për kundërshtarin qipriot, po t’i referohemi rasteve të humbura nga lojtarët e Dinamos.
NJË TJETËR BETEJË PËR T’U FITUAR – Për të lënë mënjanë nisjen jo të mirë në kampionat, Dinamo ka një tjetër betejë për të fituar, ndoshta edhe më të rëndësishme në fazën ku është sot. Të kualifikohet në një kompeticion si Conference League dhe për t’i garantuar vetes një reputacion me vlerë në skenën europiane. Të ndash arenën me kundërshtarë si Tottenham, Roma, Rennes dhe Union Berlin është një privilegj, ndaj dhe sot, për ta bërë këtë ëndërr realitet, duhet fillimisht të mposhtet Pafos.






