Një Dinamo e kualifikuar dhe padyshim, entuziasmi s’mund të mungonte kurrsesi tek presidenti Adrian Bardhi. Pas ndeshjes së fituar 3-0 të skuadrës ndaj Aluminij, i vlefshëm për turin e dytë të Conference League, numri “një” i klubit zbuloi shumëçka nga kampi i dinamovitëve, në një prononcim për mediat.
“Deri më tani jemi të kënaqur. Besimi te ky ekip është 100%. Çunat kanë ardhur shumë mirë, ekipi është pothuajse i kompletuar. Presim ndonjë afrim në ditët në vazhdim, deri në fund të merkatos.
Kënaqësia është patjetër, se kaluam turin e dytë por më e rëndësishmja është kjo që po bëjmë. Kjo kimia që ka klubi me trajnerin Ilir Daja. Po bëjmë rezultatet falë kësaj kimie. Meritë e trajnerit të klubit, investimeve, për gjërat që po bëjmë. Një sinfoni e bukur që na e ruajt Zoti. Edhe me pak fat t’ia dalim.
Largim? Koma është njëri prej tyre që e duan shumë ekipe. Do shikojmë më të mirat për ekipin dhe klubin."






