Dinamo është mposhtur në transfertë përballë Audas, në ndeshjen e parë të turit të tretë, të vlefshëm për kualifikueset e Conference League. Sfida e zhvilluar në Riga përfundoi në favor të letonezëve, minimalisht 1-0.
“Blutë” e nisën mirë takimin që në start, duke rrezikuar me Eridon Qardakun që në minutën e 10-të, por portieri Purins i mohoi festën e golit.
Pak minuta më vonë, Përndreca shpëton skuadrën nga një rast i rrezikshëm, duke e çuar topin drejt rivënies këndore. Sërish letonezët provojnë të rrezikojnë Dinamon, këtë herë me sulmuesin Diedhiou që provon në të 33-tën, por goditja e tij nuk sjell kërcënim për portierin Teqja.
Në limitet e pjesës së parë, Lorenco Vila ka shansin e mirë në këmbët e tij, por shërbimi nuk është më i miri i mundshëm, duke bërë që topi të kapej nga portieri i vendasve.
Me nisjen e pjesës së dytë, sërish Qardaku dhe Ayodeji provojnë të krijojnë raste të rrezikshme për golin e epërsisë, por nuk patën fatin me vete.
Megjithatë, ligji i pashkruar i futbollit funksionoi në dëm të Dinamos, pasi në të 67-tën Auda gjen golin falë Diedhiou. Brenda 3 minutave, gjithçka përkeqësohet për kryeqytetasit pas daljes me të kuqe të Përndrecës që merr të dytin e verdhë dhe lë të tijët me një lojtar më pak.
Pak momente para përfundimit të ndeshjes, Dinamo ka dy shanse të arta, përmes Metaj dhe kapitenit Dita, por të dyja këto mundësi nuk gjejnë finalizimin e duhur.
Me këtë humbje, Dinamo merr një “goditje” të lehtë për misionin evropian, ndërsa kualifikimi do të vendoset të enjten e ardhshme në “Elbasan Arena”.
Auda 1-0 Dinamo (Diedhiou 68')
UEFA Conference League: Ndeshja e parë, raundi i tretë.
Stadiumi: “Skonto Stadions”
Arbitër: Jose Luis Munuera.
FORMACIONET ZYRTARE:
AUDA (4-3-3): Purins; Hrvoj, Ouedraogo, Kragliks, Rubenis, Traore, Bongemba, Fofana, Daskevics, Diedhiou, Kone. Trajner: Daniel Zanetti.
DINAMO (4-2-3-1): Teqja; Ismaili, Dita, Aliji, Përndreca, Qardaku, Manellari, Qefalia, Vila, Ayodeji, Berisha. Trajner: Ilir Daja.
NDESHJA
Mbyllet ndeshja, Dinamo mposhtet nga Auda, shifrat 1-0.
90'+7 Çfarë shansi për golin e barazimit!! Metaj ndalet në momentin e fundit, mbrojtësi heq topin nga porta.
Akordohen 5 minuta shtesë.
81' Të tjera zëvendësime nga Ilir Daja. Largohen nga fusha e lojës Berisha, Manellari dhe Ayodeyi; në vendin e tyre futen në fushë Ruben Silva, Ruçi dhe Fadairo.
73' Zëvendësim te Dinamo. Largohet Vila dhe në vendin e tij futet Lorran.
71' Veprim i nxituar nga Fabjan Përndreca, arbitri e ndëshkon me të dytin e verdhë. Dinamo mbetet me një lojtar më pak. Lojtarët protestojnë për vendimin e kryesorit.
67' GOL AUDA! Shënon Diedhiou.
66' Aldo Teqja sërish në apel! Portieri shpëton Dinamon.
52' Sërish Qardaku, por goditja gjen kundërpërgjigjen e portierit Purins. Megjithatë, aksioni është anuluar për pozicion të parregullt.
48' Aksion tjetër i rrezikshëm për Dinamon, këtë herë tenton Ayodeji, bllokohet në momentin e fundit.
47' Kombinime të mira te Dinamo dhe Eridon Qardaku shfaqet rrezikshëm në zonën kundërshtare.
Nis pjesa e dytë.
Mbyllet pjesa e parë.
45'+3 Një aksion premtues nga Dinamo që merr inkursionin e duhur nga Lorenco Vila. Megjithatë, sulmuesi nuk shërben siç duhet.
Akordohen tre minuta shtesë.
39' Përplasje e fortë në kokë Përndrecës dhe Ouedraogo, futet stafi mjekësor për t'u ardhur në ndihmë lojtarëve.
33' Diedhiou "dridh" prapavijën e Dinamos, fatmirësisht asnjë kërcënim për portierin Teqja.
25' Çfarë shpëton portieri Teqja! Dinamo shmang golin.
Fabjan Përndreca shpëton Dinamon, ndërhyrje në kohën e duhur për t'i shpëtuar rrezikut.
10' Eridon Qardaku shfrytëzon një top mjaft të mirë, por goditja e tij gjen të përgatitur portierin Purins.
8' Provohet një skemë nga goditja e dënimit, por lojtarët nuk gjejnë koordinimin e duhur.
5' Ndërhyrje e parregullt ndaj Eridon Qardakut. Arbitri akordon faull në favor të Dinamos.
1' Shkelmohet topi i parë në Letoni, nis ndeshja e parë Auda-Dinamo.






