Sonte në mbrëmje, duke filluar prej orës 21:00, Dinamo e Iir Dajës do të luajë përballë Auda, në ndeshjen e kthimit të turit të tretë të kualifikueseve të Conference League.
Pas takimit të parë që u mbyll në favor të letonezëve në shifrat minimale 1-0, “blutë” e kryeqytetit do tentojnë përmbysjen e madhe në tempullin “Elbasan Arena”.
Dëshmitë e së kaluarës janë prova më e madhe për trajnerin Daja, i cili beson se skuadra e tij do t’ia dalë të përsëris të njëjtën ecuri në përballjet e dyta, ashtu siç ndodhi me Astanën në fazën e parë dhe me Aluminij në të dytën.
Matematika i lejon të “shtyjnë” përpara drejt një rezultati tjetër historik, po aq sa dhe fakti që ndeshja luhet në shtëpi, ku prania e tifozëve pritet të jetë akoma dhe më e madhe, për të mbështetur Dinamon që të prekë “play-off”-et e Conference League, e në rastin më të “artë”, grupet e këtij kompeticioni.






