Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

CONFERENCE LEAGUE

EKSKLUZIVE/ “Goli i dytë na dha besim për fitoren”, Klevi Qefalija për “play off”-in: Pafos kundërshtar i fortë, por japim maksimumin! Superiore? Dinamo synon gjithmonë lart

Shkruar nga Ermal Spahiu
EKSKLUZIVE/ “Goli i dytë na dha besim për fitoren”, Klevi
Klevi Qefalija

Dinamo sheh përpara me optimizëm dhe besimin e lartë, pas fitores 4-0 ndaj Audas që solli dhe kualifikimin për në fazën e “play-off”-it të Conference League.

Pas këtij dueli, në një intervistë për “Newsport.al”, ka folur një prej protagonistëve që “firmosi” këtë arritje të rëndësishme për dinamovitët, Klevi Qefalija.

Mesfushori foli për “prapaskenat” e këtij momenti kyç, kundërshtarin e fazës së fundit dhe për ambiciet e Dinamos në Superiore.  

Goli i dytë që shënuat në fundin e pjesës së parë i hapi rrugë Dinamos drejt fitores 4-0. Si është përjetuar brenda skuadrës ky moment historik?

Ishte një moment shumë i rëndësishëm për ne, sidomos sepse erdhi në fund të pjesës së parë. Na dha shumë besim dhe në dhomat e zhveshjes e ndjenim që mund ta vazhdonim ndeshjen me të njëjtin ritëm. Ishte një fitore e madhe, por besoj se më e rëndësishmja është që treguam karakter si skuadër.

Shihet qartë që puna e trajnerit i ka dhënë frytet që prej se nisjes së kualifikuesve. A do t’i jepet edhe një dorë e fundit “play-off”-it, si qëndron plani?

Sigurisht trajneri dhe stafi kanë bërë një punë shumë të mirë dhe ne po mundohemi ta zbatojmë sa më mirë atë që kërkon. Tani kemi edhe një pengesë përpara dhe do të japim maksimumin për ta kaluar. Duhet të jemi të përqendruar dhe të punojmë edhe më shumë.

Pafos, pengesa e fundit në këtë fazë kyçe, skuadër që vjet u kualifikua në grupet e Champions League. Keni filluar me grupin për analizimin e këtij kundërshtari?

Po patjetër. Është një kundërshtar shumë i fortë dhe me eksperiencë europiane kështu që e dimë që do të jetë një përballje shumë e vështirë. Do ta analizojmë mirë do të shohim pikat e forta dhe të dobëta të tyre dhe do të përpiqemi të futemi në fushë sa më të përgatitur.

Grupet e Conference League janë vetëm një hap larg. Ndjeni se ky është momenti i duhur që kjo gjeneratë e Dinamos të bëjë diçka historike, apo preferoni të qëndroni me këmbë në tokë?

Normalisht që e mendojmë dhe e dëshirojmë diçka historike sepse për këtë punojmë. Por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kemi edhe dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe duhet t’i marrim një nga një. Nëse vazhdojmë të punojmë si grup dhe të japim maksimumin besoj se mund t’ia dalim.

Nëse shohim paraqitjet në fushë, kuptojmë se krahas golave shfaqeni si forcë e madhe në sulm. Meritë e trajnerit Daja për pozicionimin në fushë, apo diçka më shumë?

Është një kombinim i të gjithave. Trajneri më ka dhënë shumë besim dhe më ka ndihmuar të kuptoj më mirë pozicionin tim dhe atë që kërkon nga unë. Por sigurisht që është dhe ndihma e të gjithë shokëve të ekipit sepse kur ekipi funksionon mirë edhe individët kanë më shumë mundësi të shfaqin cilësitë e tyre.

Pas një jave rikthehet Superiore. E nisni me Vorën. Përtej fokusit maksimal te Conference League, cilat janë ambiciet e "Nëndetëses" për sezonin e ri?

Sigurisht ambiciet tona janë të mëdha. Dinamo është klub që gjithmonë synon lart dhe ne duam të bëjmë një sezon sa më të mirë në kampionat dhe do të luftojmë fort për të fituar titullin kampion. Mendoj se kemi një grup shumë të mirë dhe mund të bëjmë gjëra të bukura këtë sezon./ Ermal SPAHIU

 

Poll

Lexo gjithashtu