19 tentativa për gol dhe 7 gola të shënuar nga 12 përpjekje për të gjetur rrugën e rrjetës. Këto janë statistikat që ka prodhuar Dinamo në dy ndeshjet e fundit që i ka zhvilluar në “Elbasan Arena” në dy turet kualifikuese përballë Aluminij dhe Auda.
Kryeqytetasit nuk janë kursyer aspak në këto përballje, duke i mposhtur të dy këta kundërshtar bindshëm në tokën shqiptare. Një bilanc që i jep zemër ekipit të Ilir Dajës pak orë para duelit që do të zhvillojë përballë Pafos, i vlefshëm për “play off”-in e Conference League.
Numri i goditjeve në portë është tregues që dinamovitët kanë instikt krijues dhe guxojnë para portës, ndërsa golat e shënuar janë vërtetimi më i mirë se te Dinamo nuk dorëzohen, duke shtuar “dozën” e përpjekjeve në çdo moment.
Ndaj qipriotëve duhet kujdes maksimal, siç u shpreh edhe Ilir Daja në konferencën për shtyp. Mirëpo, fjalët se “nuk do të luajmë vetëm në mbrojtje”, lë të kuptosh se tek Dinamo do të hidhen në fushë për të “gjëmuar” me raste kundërshtarin si dhe për të qenë sa më efikas në portën “armike”.






