Shorti i fazës së ligës në Champions do të hidhet nesër, pasi të përcaktohen të gjitha 36 skuadrat pjesëmarrëse në këtë fazë të turneut. Megjithatë, që në start pritet të ketë kufizime për disa prej përballjeve më të mëdha, pasi UEFA nuk do të lejojë dy supersfida të zhvillohen në të njëjtin stadium për të tretin vit radhazi.
Bëhet fjalë për përballjet Liverpool-Real Madrid dhe Inter-Arsenal, të cilat kanë qenë pjesë e kalendarit të Ligës së Kampioneve në dy sezonet e fundit. Edhe pse pozicionimi i skuadrave në vazon e parë do ta bënte teknikisht të mundur një kombinim të tillë, rregullorja e UEFA-s ndalon përsëritjen e së njëjtës ndeshje në të njëjtin stadium për më shumë se dy vite radhazi.
Kjo do të thotë se shorti nuk mund të caktojë Liverpool-Real Madrid në Angli apo Inter-Arsenal në Itali për edicionin e ardhshëm. Megjithatë, përballjet mes këtyre skuadrave mbeten të mundshme, nëse zhvillohen në anën tjetër, pra Real Madrid-Liverpool në Spanjë dhe Arsenal-Inter në Angli.






