Lajmi i pak ditëve më parë, ku ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Faruk Ajeti bëri të ditur se Erblin Osmani do të luajë për Përfaqësuesen “dardane”, i “çoi peshë” të gjithë, kjo edhe për shkak se 17-vjeçari konsiderohet si një talent mjaft premtues.
Në postimin e bërë publik nga vetë Ajeti në Facebook, shihej qartë Osmani me pashaportën e Kosovës duke e mbajtur në duar, çfarë i dha fund edhe dilemave mbi kombin me të cilin lojtari do të zgjidhte të luante.
Mirëpo, ndryshe mendojnë mediat në Gjermani, më specifikisht gazeta prestigjioze “Bild” që raporton se nuk ka asgjë përfundimtare, ndryshe nga qëndrimet e ambasadorit të Kosovës. Po sipas kësaj gazete gjermane, thuhet se Osmani e mori pasaportën në fundin e javës së kaluar, duke i dhënë atij mundësinë që të luajë për vendlindjen e prindërve të tij.
Më shumë qartësim do të jepet në ndeshjet e ardhshme të kombëtarëve në fund të muajit shtator. “Bild” shkruan gjithashtu me shqetësim nëse Federata gjermane e Futbollit po humbet diamantin e Bayernit, pasi në rast se Osmani do të “braktiste” përfundimisht “Pancerat” për të përfaqësuar Kosovën, kjo do të përkthehej në një humbje të madhe për Gjermaninë.
Vetë mesfushori 17-vjeçar ka marrë pjesë rregullisht në seancat stërvitore të bavarezëve nën udhëheqjen e trajnerit Vincent Kompany në muajit e fundit, ndërsa debutimin e bëri më 21 mars në fitoren 4-0 të Bayernit përballë Union Berlin.







