Sulmuesi i Partizanit, Kaleb Ekuban ka dalë para pak minutash në një konferencë për shtyp për të folur mbi gjendjen e skuadrës, objektivat e klubit dhe ato personale.
“Bomberi” i të kuqve nuk është kursyer në deklaratat dhe premtimet e tij për të shënuar sa më shumë me fanellën e 15 herë kampionëve të vendit.
“Ndjehem mjaft mirë këtu , kampionati ka mjaft rivalitet dhe kjo gjë karikon edhe më shumë. Në dy ndeshjet e fundit jemi treguar më shumë konkret përpara portës , dhe rrjedhimisht kanë ardhur edhe rezultatet pozitive.
Pozicioni im natyral, sigurisht është si sulmues i djathtë. Por edhe me ardhjen e Starovës në drejtimin e skuadrës, golat i kam shënuar si sulmues qendre. Ndaj mendoj se nuk përbën problem pozicioni ku luaj. E rëndësishme është të jem në vendin dhe momentin e duhur për të shënuar. Sigurisht, diferenca e shkurtuar nga 7 në 4 pikë nga Skënderbeu na jep edhe më shumë karikim për takimet e ardhshme. Mendoj se kampionati tashmë ka hyrë në fazën më interesante të tij.
Këtë javë do të luhet një tjetër përballje direkte mes Skënderbeut dhe Kukësit , megjithatë ne duhet të shohim ndeshjet tona dhe të luajmë kampionatin tonë. Nëse fitojmë çdo ndeshje, të jeni të sigurt që do ta parakalojmë në renditje Skënderbeun.
Objektivi im personal është të shënoj sa më shumë gola me Partizanin. Golat e mi i shërbejnë skuadrës. Nëse shënoj dhe ekipi fiton, mendoj se ky është maksimumi . Është e vërtetë që do të luaj për të parën herë një ndeshje në kryeqytet dhe shpresoj të jap maksimumin përpara publikut tonë që besoj se do të jetë i shumtë.
Përpos rezultateve, kemi për detyrë të kënaqim edhe tifozët me lojën që dhurojmë në fushë. Uroj që të shtunën të jetë një festë e vërtetë sportive në stadium. Deri tani ndihem mjaft mirë në Shqipëri. Të jem i sinqertë nuk e prisja një futboll të tillë këtu, sepse po konstatoj që është një kampionat dhe futboll shumë kompetitiv.
Kur mbërrita, më informuan që rival për titull ishte vetëm Skënderbeu, por në luftë për titull shoh edhe Tiranën me dhe Kukësin. Është një kampionat shumë kompetitiv dhe sinqerisht e them që po më pëlqen që jam pjesë e kampionatit tuaj”, përfundoi Ekuban.