Vendimi i CAS-it për të rrëzuar kërkesën e Skënderbeut, ka surprizuar të gjithë futbolldashësit shqiptarë. Ishte trumbetuar prej kohësh se kishte sinjale pozitive, por dita e sotme ka rrëzuar të gjitha aludimet e mundshme duke vulosur faktin se korçarët do të vijojnë të vuajnë dënimin prej 10 vitesh nga Kupat e Europës. Një lajm ky i keq për futbollin shqiptar, por mjaft dëshpërues për kampin bardhekuq që tashmë askush s’di gjë më se çdo të ndodhë me organikën aktuale.
Pas largimit të Orges Shehit ende s’ka një trajner, por veç kësaj shumë prej futbollistëve titullarë janë pa kontrata. Vlen të përmenden Muzaka apo Radas, dy lojtarë që janë lakuar shumë në medie për shkak të cilësive të tyre. Kësisoj në Korçë ka pllakosur heshtja, ndërsa skuadrat e Superiores “fërkojnë duart” për të përfituar ndonjë element cilësor të organikës së Skënderbeut. Ndërkohë tashmë bardhekuqtë rrezikojnë shumë, pasi disa nga futbollistët prisnin pikërisht CAS-in për të vendosur për të ardhmen e tyre.