Kamza tanimë është përjashtuar nga Superliga, ndërsa problem mbetet rikthimi i policisë në stadiume. Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë thirrje uniformave blu të jenë të pranishme brenda rrethimit të stadiumeve për të siguruar rendin dhe sigurinë. Me interes priten të shihet zhvillimet që do të ndodhin. Për këtë çështje të nxehtë, ka folur shefi i sektorit të garave, Lysien Nurishmi. Ky i fundit ka deklaruar për Supersport:
“Në këtë rast dhuna nis nga tribuna, janë zyrtarë që futen në fushë. Jemi të mendimit që duhet të vinte gradualisht largimi i policisë, jo të ikte komplet. Prania në pistë apo në tunele është një frenim. Nuk është se policia e ndalon plotësisht. Nëse ka masa paraprake, minimizohen rastet e dhunës”.
Më pas ai ka një thirrje për drejtuesit e klubeve: “Kemi zyrtarë që futen dhe krijojnë dhunë. U bëj thirrje klubeve të jenë të ndërgjegjshëm për organizimin e ndeshjeve. Janë një numër i madh takimesh qe luhen në gjithë Shqipërinë. Normalisht Policia e ka të pamundur t’i mbulojë të gjitha, por klubet e kanë detyrim oficerin e sigurisë dhe duhet të ketë një bashkëpunim mes palëve. Prania e disa zyrtarëve të Policisë në dhomat e kontrollit, apo gatishmëria e tyre është me rëndësi. Duhet të jenë aty për të ndërhyrë kur duhet, jo pasi të kenë ndodhur aktet e dhunës”.
Për sa i përket gjendjes së stadiumeve, Nurishmi tregoi: “Edhe vetë UEFA ka disa kategori stadiumesh. Një klub nuk është e thënë që të ketë stadium me kamera. Nuk mund të kërkosh në Memaliaj e Tepelenë të kenë kamera, pasi luajnë në Kategorinë e Dytë. Në Superiore duhet t’i kenë kamerat, zonën VIP etj. Atalanta, për shembull, në Itali luan në shtëpi në kampionat, kurse në kupat e Europës luan në stadium tjetër ku UEFA e lejon”.