Këtë të premte, Kategoria Superiore do të dhurojë derbin numër 156-të mes Tiranës dhe Partizanit. Në orën 19:00, stadiumi i ri “Air Albania” do të presë ndeshjen kornizë të Shqipërisë, me kampionët në fuqi që kërkojnë hakmarrjen përballë kryesuesve aktualë. Trajneri i “Demave” e ka gati planin, me Theophilus Solomon që duket se do të përfundojë në stol.
Nigeriani u afrua me bujë gjatë verës dhe të kuqtë i varën shpresat në aftësitë e tij. Gjatë këtij sezoni, 24 vjeçari ka zhvilluar 16 ndeshje, duke gjetur vetëm 3 herë rrjetën. Shumë pak nëse do mendojmë se ai është pika kyçe në sulmin e “Demave”. Gjatë stërvitjeve të fundit anti-Tiranë, shtatëlarti nuk ka punuar me pjesën tjetër të sulmuesve (Bardhi, Brown Çinari e Cara) duke u dërguar në dhomat e zhveshjes. Solomon ka qenë më i kritikuari edhe nga tifozët dhe duket se do të përfundojë në stol. Sormani i ka idetë e qarta, me Brawn që do të jetë “pyka” në ofensivën e kuqe, mbështetur nga Bardhi e Çinari.