Flamurtari bëri dje dy goditje shumë të rëndësishme në repartin e mbrojtjes me afrimet e Albi Allës dhe të lojtarit rumun Kristian Sirghi. Por merkatoja do edhe disa ditë që të mbyllet dhe lista e dëshirave për vlonjatët nuk është mbyllur ende.
Kuqezinjtë janë prej kohësh në kërkim të një sulmuesi “rrace”, e për këtë alternativat kanë qenë të shumta. Por mesa duket administratori Idrizi i ka të qarta qëllimet e veta. Prej disa ditësh në media po përflitet për Khaleb Ekuban, me ish-sulmuesin e Partizanit që duket se është synimi i vetëm i Flamurtarit në këto ditë të mbetura merkatoje.
Ish-lojtari i Chievos aktualisht luan te Leeds United në Angli, dhe një rikthim në Shqipëri duket disi i vështirë. Për të pati mjaft interes madje edhe nga të “kuqtë” e Skënder Gegës për ta rikthyer në Tiranë, por në fund dështuan.
Tashmë mbetet për t’u parë se sa do të jetë në gjendje klubi i Flamurtarit të bind “bomberin” për të ardhur në Vlorë, por është e sigurt se nëse kjo lëvizje realizohet, ajo padiskutim do të ishte blerja më e bujshme e kësaj merkatoje në vendin tonë.