Bledi Shkëmbi nuk ka dashur të reagojë në lidhje me shigjetimet apo ironitë që i janë drejtuar së fundmi nga ish kolegë apo lojtarë. I vënë në qendër të kritikave nga Endri Vrapi, ish krahu i djathtë i tij deri në fillimin e këtij sezoni; deri në momentin që Shkëmbi do ta largonte nga stafi teknik i durrsakëve. “Mendoja se isha krahu i tij i djathtë, por paskam qenë i majti”, u shpreh ish mbrojtësi i një sërrë skuadrave në Shqipëri.
Së fundmi, edhe Isli Hidi që deri sezonin e shkuar ishte nën urdhrat e korçarit te Teuta, ka ironizuar duke thënë në një emision sportiv se “Shkëmbi e ka rritur atë në moshën 38 vjeçare”. Këto qejfmbetje duket se shkojnë përtej raporteve profesionale, duke ndikuar edhe në klimën e grupit apo rezultatet e një ekipi.
I kontaktuar nga newsport.al, pikërisht për të marrë një opinion për këto shigjetime, Bledi Shkëmbi ka “dribluar” kritikat duke dhënë një përgjigje diplomatike, pwr t’u shmangur në këtë mënyrë nga tema. “Nuk kam gjë për të thënë, veçse suksese”, ishte përgjigjia e ish kapitenit të Skënderbeut.