Partizani i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për Kukësin, teksa ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Pezë-Helmës. Nën drejtimin e Starovës, të kuqtë kanë marrë udhëzimet e fundit për këtë sfidë që do të luhet në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Pasi kanë mbyllur seancën, të gjithë lojtarët i janë drejtuar dusheve që ndodhen në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës.
Por, burime për newsport.al bëjnë me dije që të gjithë lojtarët janë detyruar të kthehen mbrapsh pasi dushet ishin të prishura. Ashtu, të lagur nga shiu ata janë ulur në barin që ndodhet pranë këtij kompleksi për t’u nisur më pas drejt Kukësit.
Këtë e tregon edhe fotoja që ka postuar Gëzim Krasniqi në llogarinë e tij në Instagram, ku shfaqet me Renato Malotën dhe ndërkohë shkruan: “U prish dushi” dhe sigurisht duke qeshur. Raste të këtilla i hasim shpesh në futbollin shqiptar, por më e veçanta qëndron që të kuqtë kanë mbetur pa bërë dush 24 orë para supersfidës me Kukësin.