Përpara pak ditësh, Partizani prezantoi edhe zyrtarisht sulmuesin Tedi Cara. 19 vjeçari është një produkt i shkollësh kavajase të futbollit dhe gjatë këtij sezoni me Besën ka shënuar tetë gola. Afrimi i Carës nga kampionët e vendit shihet si një investim i goditur për të ardhmen, aqsa ai është krahasuar edhe me Cikalleshin, për mënyrën e lojës. Partizani ka gjetur gjuhën e përbashkët me lojtarin, duke nënshkruar për pesë vitet e ardhshme dhe shumë shpejt sulmuesi pritet të shpërthejë.
Kapiten me ekipet Kombëtare të moshave, Cara duket se është një minierë ari për Besën, që ka mbajtur në pronësi 50 përqind të kartoni. Nëse Partizani e shet lojtarin, gjysma e të ardhurave do të shkojë për Besën që duhet thënë se në gjirin e saj ka pasur lojtar cilësor. Kampionët e vendit do të duhet të paguajnë drejt kavajasve edhe shifrën e formimit të lojtarit, që tanimë është e detyrueshme me rregullat e reja të FIFA-s. Për tre vitet e tij te Besa, klubi i kuq është i detyruar t’i paguaj të paktën 60 milion lekë të vjetër kavajasve. Pra, veç kësaj shume verdhezinjtë kanë ende në zotërim gjysmën e kartonit të Carës, me shpresën e “shpërthimit” të tij në Superligë.