Edi Reja ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes së Kombëtares kundër Andorës, e vlefshme për Euro 2020-të.
Trajneri italian i përfaqësueses sonë foli gjatë duke u ndalur në disa çështje të nxehta të lindura së fundmi në ambientin kuqezi. Nga mungesa e Cikalleshit, te refuzimet e Xhakës dhe Grezdës e deri te sfida e nesërme kundër Andorës, ai i thotë të gjitha.
“Unë kam një skuadër me djem intelegjentë. Ia kam transmetuar që në ditën e parë kur u takuam, që pika e referimit është ndeshja me Andorën. Nuk ka sot për sot skuadra të lehta. Nuk duhet zhvlerësuar në asnjë lloj momenti. Duhet të japim 110 përqind.
Mungesa e Cikalleshit? Siç e dini Cikalleshi ka dhënë rendiment të mirë në ndeshjet e luajtura. Është mungesë e rëndësishme. Por, kemi pesë sulmues të tjerë. Përmend Florian Kamberin, Rei Manajn, rikthimin e Myrto Uzunit. Kanë pak a shumë të njëjtin nivel. Unë pikërisht do të vendos nesër në bazë të gjendjes fizike që lojtarët kanë në dispozicion. Ky grup na jep shumë alternativa në sulm. Kemi gjithashtu edhe Taluant Seferin dhe Bekim Balajn. E thamë që Cikalleshi është i rëndësishëm, por ka edhe të tjerë që japin edhe të njëjtin rendiment në Kombëtare.
Taulant Xhaka? Bashkëpunëtorët e mi kanë folur në telefon me Xhakën. Ai na ka sqaruar që në ndeshjen e fundit në kampionatin zvicerian ka dalë 10 minuta para. Ka dashur të qëndrojë në shtëpi për t’u kuruar. Nëse nuk është në 100 përqindëshin e tij një futbollist, ne i japim leje që të rikuperohet.
Skema? 4-3-3 është moduli im i preferuar. E kam thënë dhe më para. Por, aktualisht le të themi se me 3-5-2 kemi dy sulmues qëndrorë dhe dy lojtar krahu që i kërkoj të avancojnë. Pra kemi më shumë prezencë në zonën e rreptësisë. Nëse nuk gjejmë të kemi dy sulmues të shpejtë dhe dy mbrojtës të shpejtë, është e vështirë të realizohet. Mblidhemi një herë në muaj me Kombëtaren dhe kam pak kohë në dispozicion. Ky modul na jep garanci. Edhe djemtë ndihen mirë me këtë lloj moduli dhe mund të marrin rezultate më të mira. Shpesh mendohet të luhet me 5 mbrojtësa, do të thotë të jesh difensiv. Lojtarët tanë të krahëve kanë detyra shumë ofensive. Në fakt janë vetëm 3 mbrojtësa. Shpesh herë ndodhemi të jemi kundër 3 sulmuesve kundërshtarë. Ne duhet të kemi sa më shumë prezenca në zonën kundërshtarëe.
Seferi dhe Kamberi? Që të dy këta lojtarë kanë mundësi reale për t’u aktivizuar. Përmendim Kamberin që ka ardhur nga një ndrydhje në kavilje. Nëse do të kemi OK nga stafi mjekësor, do t’i jepja disa minuta.
Mesfusha? Kemi krijuar një ekuilibër në skuadër që na lejon të kemi shumë mundësi, shumë opsione. Lojtarët që grumbullohen dua të jenë të qetë dhe të lumtur, pavarësisht kush arrin të marrë ose jo minuta. Mund të ndodhë që mund të përfshihesh edhe në një ndeshje të caktuar. Kemi një grup solid. Nëse përmendim edhe Eros Grezdën, më vjen keq sepse kishte potencial të madh. Ai vendosi të mos pranonte ftesën tonë më pas. Është gjithmonë Shqipëria që futet në fushë pavarësisht se kush janë protagonistët që futen në fushë. Nëse dikush mendon se mund të jetë Messi, nuk është kështu. Rëndësi ka grupi.
Çështje te Kombëtarja? Në të vërtetë nuk ka çështje apo revolta në këtë grup. Ka lojtarë që tërhiqen vetiu pas vendimit tonë. Ka futbollistë polivialentë. E rëndësishme është që s’ka çështje grupi. Çdo problem duhet sqaruar brenda familjeve. Shpesh herë janë gazetat dhe gazetarët që duan të krijojnë çështje që nuk ekzistojnë brenda nesh. Unë dua që në çdo ndeshje të jepet maksimumi. Nuk dua të shoh lojtarë që futen në fushë pa grintë e duhur. Është shumë pak të grumbullohemi vetëm një herë në muaj. Pas këtij kompeticioni do të takohemi në mars, pas 4 muajsh. Motivacioni duhet të jetë shumë i lartë. Na ndjekin shumë shqiptarë nga e gjitha bota. Na ndjekin me pasion, e shohin Kombëtaren si një dritë për Kombin e tyre.
Tifozët? Nëse në do ishte në dorën time do të trokisja shtëpi më shtëpi për t’i ndjekur. Duhet treguar konsideratë për të gjithë. Kjo skuadër ka treguar një lojë me konsideratë më të lartë. Është normale që kërkoj që këta djem japin maksimumin. Publiku duhet të tregojë pak më shumë konsideratë. E përsëris dhe thirrjen që bëmë të dielën: Ata që kanë mundësi i ftoj të na ndjekin, të na mbështesin. Ata futbollistë kanë nevojë për stimul kur futen në fushën e lojës. Për Francën do të kemi mundësi të flasim pas ndeshjes me Andorën”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë që Shqipëria luan nesër kundër Andorës në orën 20:45, ndeshje e vlefshme për eliminatoret Euro 2020.