Federata Shqiptare e Futbollit është duke zhvilluar punimet në Asamblenë e Përgjithshme që po mbahet online për shkak të pandemisë që ka paralizuar vendin. Gjatë kësaj Asambleje ka folur edhe zëvendëspresidenti i FSHF-së dhe njëherazi drejtori i buxheteve, Edvin Libohova.
Në fjalën e tij, edhe si kreu i Ligës Profesioniste, Libohova ka bërë me dije se janë 90 milion lekë në total që FSHF do të japë për klubet, për të rikuperuar problemet nga Covid-19.
“Risi e këtij buxheti është mbështetja që do të marrin klubet shqiptare nga FSHF-ja për të kaluar problemet e shkaktuara nga Covid-19. Shifra është 80 milion lekë. Një fond i caktuar për të mbështetur ligën profesioniste është 10 milion lekë.
Totali i shpenzimeve në mbështetje të futbollit është 84 përqind, çka tregon vëmendjen e FSHF-së për mbështetjen direkte të futbollit”, u shpreh Libohova. Kjo pasqyrë financiare dhe ky buxhet i vitit financiar 2020 është miratuar me 50 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.