
Arsenali po zhvillon një sezon fantastik në Premier League, teksa prej javësh të tëra udhëheqin kampionatin anglez. Por kjo nuk do të thotë që të njëjtën gjë bëjnë dhe në komepticionet europiane. Mbrëmjen e djeshme “Topçinjtë” u eliminuan nga Sportingu pas gjuajtjeve të penalltive duke i dhënë kështu lamtumirën Europa League.
Pas këtij eliminimi ka folur trajneri Mikel Arteta, i cili theksoi se Sportingu detyroi skuadrën e tij të luante keq dhe se tashmë të gjithë forcat do të përqendrohen në Premier League, aty ku synohet fitimi i titullit kampion.
“Goditje e madhe. Ne vërtet donim të kalonim dhe të luftonim në garë dhe të shkonim për të dhe sot u përpoqëm për 120 minuta dhe penallti dhe nuk mjaftuan. Së pari, urime për Sportingun e Lisbonës që kaloi. Bëmë ndërrime të detyrueshme që na e vështirësuan lojën akoma më shumë. Por prapëseprapë, ne nuk e gjetëm ritmin dhe rrjedhën tonë dhe lejuam shumë hapësira dhe nuk fituam mjaftueshëm duele.
Zhgënjimi nuk do të largohet. Zhgënjimi është aty tani, por sjell qartësi. Ka 11 ndeshje në Premier League për të luajtur dhe finalja e radhës është kundër Crystal Palace. Duhet të rikuperojmë dhe të vendosim të gjithë energjinë dhe fokusin tonë atje, të luajmë më mirë se sot dhe të bëjmë të njëjtën përpjekje si sot dhe të fitojmë”, deklaroi trajneri Arteta.