Arbitri Qerim Ruçi dhe zyrtari i Përmetit, Bledar Hajredini ranë dje në prangat e policisë si të akuzuar për “Paracaktim të garave sportive”. Gjyqtari nga Saranda dhe trajneri i Përmetit akuzohen për trukim të ndeshjes mes Selenicës dhe Përmetit e vlefshme për Kategorinë e Dytë, e zhvilluar në Fier marsin e vitit të shkuar.
Në lidhje me këto arrestime, ka folur edhe Artan Hoxha. Gazetari ka treguar në Top Arena se nuk bëhet fjalë për shuma të mëdha parash, por për gjestin dhe se emrat e tyre dolën falë një hetimi tjetër. Hoxha ngre alarmin për trukime në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar.
“SPAK-u kapi arbitrin e Delvinës dhe trajnerin e Përmetit. Kishin trukuar një ndeshje më 1 mars të vitit të kaluar, mes Selenicës dhe Përmetit. Ishte e vetmja ndeshje që ka gjykuar ai gjyqtari Qerim Ruçi. Ndeshja në fakt ka dalë 0-1 për Përmetin. Ndeshja është luajtur në Fier.
Janë dënuar për gjestin, jo për sasinë e parave. Gjesti është i dënueshëm, trukim ndeshjesh. Por nuk është hera e parë që ndodh në kategoritë e ulëta. Mbani mend në Shkodër që u kapën për trukimin e ndeshjes Vllaznia B – Tërbuni. Pra kur trukohet edhe ndeshja e Selenicës, imagjinojeni se çfarë bëhet atje lart pastaj.
Selenica u tërhoq edhe nga kampionati se nuk kishte para as të paguante biletat. Por hetimi ka qenë për trafik narkotikësh, në përgjim e sipër doli arbitri dhe u kap”, tha Hoxha.