Armando Sadiku ka fituar në FIFA gjyqin me Erzurumspor, klubin nga Turqia. Sezonin e shkuar sulmuesi elbasanas ishte pjesë e elitës së Turqisë, teksa nuk qëndori shumë gjatë për shkak se në janar turqit vendosën ta largonin në mënyrë të njëanshme.
Në lidhje me situatën, Sadiku dhe klubi ranë dakord për pagat e prapambetura, teksa drejtuesit e turqve nuk u treguan korrektë. Lojtari e dërgoi çështjen në FIFA, me organin e futbollit botëror që i ka dhënë të drejtë lojtarit për pagat.
70 mijë euro detyrohet të paguajë klubi turk në llogarinë e Sadikut, plus 20 përqind të shumës si kamatë vonesë. Në afatin prej 45 ditësh shuma duhet paguar, në të kundërt merkato e Erzurumspor do bllokohet për tre sesione. Pas aventurës në Superligë sezonin e shkuar, skuadra u rrëzua në ligën e parë turke ku luan aktualisht.