Armand Duka, presidenti i FSHF-së, i pranishëm në Elbasan Arena, për ndeshjen e Kombëtares ndaj Moldavisë, është shprehur për RTSH-në se tifozët duhet të jenë të pranishëm në stadium për të përkrahur Kombëtaren, pavarësisht rezultatit.
“Tifozët duhet të jenë në stadium në çdo rast, të mbështesin ekipin pavarësisht nga rezultati. Ekipi kombëtar, duhet mbështetur në çdo kohë. Në çdo ndeshje, çdo ekip duhet të hyjë për të fituar. Në futbollin ndërkombëtar nuk ka kundërshtar të dobët. Shqipëria nuk e ka të lehtë të ndërtojë lojë sulmuese, duke arritur fitoren.
Kosova është në një moment shumë të mirë. Duhet ta komplimentojmë për çfarë po jep në këto kualifikuese. Uroj që të njëjtën gjë të bëjë edhe ekipi jonë. Kur na janë dashur pikë, ja kemi marrë Portugalinë dhe kemi shkuar në Europian. Luhet 11 kundër 11. Të gjithë stërviten dhe përgatiten. Duhet vlerësim maksimal”.
Duka ka thënë edhe dy fjalë për Arenën Kombëtare: “Po punohet që ndeshjen ndaj Islandës ta luajmë në Tiranë. Nuk është e lehtë, është objekt i madh me shumë detaje. Nuk jam unë ai që mund ta parashikoj. Është objektiv i kompanisë dhe Federatës”.