Arbër Çyrbja është një nga lojtarët më të spikatur te Teuta. Mesfushori 26 vjeçar ka treguar vlerat që ka, sa herë i është dhënë mundësia. Deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku i dedikohet tërësisht atij që ai e quan ”përfaqësuesi i familjes tonë”.
Çyrbja e cilëson Arbrin si njeri të pamposhtur, i cili kalon çdo sfidë, pavarësisht vështirësive. As dëmtimet nuk ia dolën dot të ndalnin futbollistin që asnjëherë nuk i humbi vullneti.
Postimi
Përfaqësuesi i familjes sonë në futboll është Arbri. Arbri nuk është vetëm një talent. Është një njeri i pamposhtur që na bën të gjithëve krenarë. Në fillim të karrierës, u dëmtua rëndë. I thanë se nuk do të mund të luante më. Por njerëzit e dashur të tij dhe unë personalisht nuk e humbëm asnjëherë besimin te ai. Vullneti dhe forca e tij nuk mund të zhgënjenin. U rekuperua dhe filloi të punonte edhe më fort. Me dy Kupa Shqipërie, me katër ndeshje në Champions League, një jetë te Teuta, një vit te Kukësi e tani sërish te fanella e zemrës sonë, them se familja përfaqësohet denjësisht në sportin e emocioneve të mëdha.