Arbnor Fejzullahi ishte emri më i përfolur i Partizanit në merkaton e verës. Mbrojtësi i djathtë i të kuqve kishte probleme me klubin, madje disa zëra e çuan në Korçë. Një foto qarkulloi në rrjetet sociale, ku 24-vjeçari nga Lugina e Preshevës i ishte bashkuar kampionëve në fazën përgatitore. Por, kjo u hodh poshtë nga klubi bardhekuq, madje pretendimet e mediave u përgënjeshtruan në faqen zyrtare, duke deklaruar që lojtari në fjalë ishte Argjend Malaj.
Në fund të kuqtë fituan “luftën”. Fejzullahi u rikthye në strofull e bashkë me të erdhi edhe nënshkrimi i kontratës që e lidhte me të kuqtë edhe për dy sezone të tjera. Nisi të përgatitej me grupin, madje arriti të kapte edhe ritmin. U aktivizua për herë të parë në miqësoren kundër Kamzës dhe të gjithë menduan që krahu i djathtë u “blindua”. Duhej të vinte sfida kundër Skënderbeut, që Fejzullahi të dëmtohej për të qëndruar edhe 2 muaj të tjerë jashtë fushës së blertë.
Tashmë ai është rikuperuar, por duket të mos jetë i preferuari i trajnerit së Sulejman Starovës. Cilësitë e 24-vjeçarit janë të padiskutueshme. Sezonin e kaluar ishte titullar absolut në 11-shen e Agostinelit dhe gjithëkush e mban mend derbin kundër Tiranës në “Qemal Stafa”. Fejzullahi ishte më i miri në fushën e blertë, asis dhe gol kundër rivalëve të përjetshëm. Por sot ai i sheh ndeshjet nga stoli. Çfarë ka ndodhur me “yllin” e mbrojtjes së kuqe? Ndoshta një luks i tepruar ky për trajnerin Starova, i cili vazhdon ta lërë në stol…