Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila i ka sugjeruar trajnerit kuqezi Edy Reja dy futbollistët e Vllaznisë. Në Procesi Sportiv, Lila ka treguar se Krymi dhe Gurishta e kanë treguar veten, duke merituar një shans në ekipin kombëtar të Shqipërisë. Për kavajasin, dyshja ishte ndër më të spikaturit në barazimin që Vllaznia mori në transfertë ndaj Tiranës për javën e 16 të Superligës (0-0).
“Në këtë ndeshje, Vllaznia dominoi në të gjitha drejtimet. Në radhët e saj spikatën disa futbollistë, ku padyshim do veçoja Krymin. Ai është një mesfushor që po bën gjithçka mirë. Një lojtar që spikat me paraqitjet e tij. Unë nuk e di nëse trajneri i Kombëatres i ndjek ndeshjet e futbollit shqiptar, por ju siguroj se Krymi mund t’i bënte punë Kombëtares. Ashtu siç do veçoja edhe mbrojtësin e djathtë, kapitenin Gurishta që ka qenë i pandalshëm në këtë ndeshje”, tha Lila.