Amir Rrahmani nuk do të jetë më pjesë e përfaqësueses Shqiptare. Ish qendërmbrojtësi kuqezi nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook bën me dije arsyen e këtij largimi. Sipas 22-vjeçarit, vendimi i vështirë që ka marrë, është bërë për shkak se Kosova ka nevojë për përfaqësim sa më të mirë si një shtet i ri dhe shpreson që t’i bëjë krenarë të gjithë shqiptarët, ashtu siç Shqipëria i bëri krenar.
“Për disa vite e në shumë ndeshje, barta me krenari fanellën e Kombëtares, qoftë ekipit Shpresa, qoftë të ekipit të parë. Në çdo sekond të stërvitjeve dhe punës u mundova të jap maksimumin tim, për ato ngjyra që gjithmonë do të mbesin në zemrën time, ashtu siç janë në zemrën e çdo shqiptari.
Sot mora një prej vendimeve më të vështira në jetën time, sot vendos që karrierën sportive ta vazhdoj me vendin në të cilin kam lindur, me Kosovën që me identitetin e ri, synon të pushtoj shtigje të reja dhe të marr suksese te reja.
Vendimi për të vazhduar me Kosovën nuk është vendim kundër Shqipërisë, përkundrazi tregon se ne vazhdojmë të jemi shumë të lidhur dhe nga njeri ekip mund të kalojmë te tjetri, duke e kuptuar vendimin në mënyrë më të drejtë të mundshme!!!
Kosova ka nevojë për përfaqësim sa më të mirë si një shtet i ri dhe shpresojmë t’i bëjmë krenar të gjithë Shqiptarët ashtu siç Shqipëria i bëri krenar.
Dua të falënderoj Kombëtaren Shqiptare, drejtuesit e FSHF-së , trajnerët dhe tifozët e kuqezi për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj kohe sa ishe pjesë e Shqipërisë”, shkruan Rrahmani në facebook-un e tij.