Arlind Ajeti u dëmtua dy muaj më parë, ndërsa nuk ka bërë ende debutimin në Serie A me fanellën e Torinos. Mbrojtësi i kombëtares kuqezi mungoi në tre takimet e para për shkak të dëmtimit, ndërsa shumë shpejt pritet që të rikthehet në fushë.
Ai është grumbulluar në tre takimet e fundit me torinezët, por pa u aktivizuar asnjë minutë, gjë që momentalisht është në të mirë të lojtarit, pasi nuk ka arritur gjendjen e tij optimale.
Trajneri i tij te Torino sqaron situatën, pse ai nuk aktivizohet. Serbi Sinisha Mihajloviç tregon se Ajeti nuk është gati 100% dhe nuk mund të përballojë 90 minuta. “Ajeti është mirë fizikisht, por ende nuk mund të luajë 90 minuta të plota. Ai është një lojtar ndryshe nga të tjerët, pasi po flasim për një mbrojtës tipik që markon dhe do të ketë hapësirat e tij”.
“Kur flisja për atë që ekipi duhet të bëjë dhe vëmendjen që duhet ti kushtojmë detajeve, e kisha fjalën pikërisht për këtë karakteristike. Nuk mund t’i shpenzojmë të gjitha energjitë për një pjesë loje dhe pastaj të ecim në fushë. Ekipi duhet të luajë me grintën dhe zemrën që karakterizon këtë fanellë”, tha Mihajloviç.