Ardian Cuculi, pas fitores 1-0 me Teutën është shprehur për “Supersport” se në ndeshjen e parë kanë luajtur më mirë, por e rëndësishme është që janë kualifikuar.
Përsa i përket kritikave të presidentit Safet Gjici, Cuculi është shprehur se i mirëpret, pasi ai është që i paguan.
Kurse për penalltinë në rastin e Asanit, mbrojtësi tregon se Asani e vodhi penalltinë, por që nuk i ka thënë asgjë.
“Në ndeshjen e parë e kemi bërë më të mirë deri në 75 minuta. Në ndeshjen e dytë ishte e barabartë. Ishin dy ndeshje të vështira me një kundërshtarë të vështirë, jemi të kënaqur. Për mua nuk ka qenë e lehtë pasi u kritikova shumë për penalltinë ndaj Partizanit, por ne jemi profesionistë. Nga ana e presidentit i pranoj kritikat, sepse ai na paguan dhe normalisht që ka të drejtë. E rëndësishme është që kur njeriu bie, të ngrihet menjëherë. Unë sot u ndjeva mirë që bëra një ndeshje të mirë. Asanit i lumtë, e vodhi penalltinë, e kam parë 1 milionë herë atë rast, por nuk i kam thënë gjë Asanit. Kë preferoj në gjysmëfinale? Janë ekipe të vështira të treja. Në gjysmëfinale vijnë ekipet më të mira, nuk kam ndonjë preferencë, por shpresojmë që të kalojmë në finale. Unë jam ndierë shumë keq, u ndjeva i gozhduar, por unë vazhdoj përpara, futbolli i ka këto dhe unë i pranoj”, është shprehur Cuculi.