Rrëmuja që shkaktuan tifozët e Tiranës në përfundim të ndeshjes me Kukësin, ka qenë “qendra” e opinion publik që ndjekë futbollin. Shumë personalitete të rëndësishme kanë marrë pozicionin e tyre, përsa i përket kësaj teme. Një prej tyre ka qenë dhe Agustin Kola, ish- futbollist dhe ish-trajner i Tiranës.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka folur pa “doreza” duke shprehur mendimin e tij. “E kam thënë një milion herë. Cfarë tifozësh janë këta?! Nuk është turp të bësh kështu për një barazim?! Nuk ndodhi asgjë, skuadra barazoi me Kukësin. Këta tifozë janë kalamaj bastardë që njollosin Tironën. Nuk ka lidhje tifozlliku me hyrjen në fushën e lojës”- ka thënë Kola.
Ndër të tjera ai ka folur dhe për mundësitë që ka ekipi dhe ka thënë që kaq është hapi i ekipit. “Duhet t’i shtrijmë këmbët deri kaq, sepse e kemi të shkurtër jorganin, Nuk fitohet me dy oë stërvitje në ditë. “- ka shtuar ish-futbollisti.
Agustin Kola ka folur dhe për komplekset dhe fushat sportive që mungojnë. Ai është shprehur: “Fushat e dikurshme të futbollit janë bërë kisha, xhami dhe pallate”.